Biografi

Ervis GegaDodi lindi në Shqipëri dhe u shpërngul më 1990 në Gjermani. Si fëmijë e një familjeje të njohur muzikantësh ajo mori mësim violine tek prindërit e saj. Në moshën tetëvjeçare Ervis Gega- Dodi shënon daljen e parë në skenën koncertale, me koncertin për violinë të Mendelssohn-it.

Në moshën 16 vjeçare ajo nisi studimin në Masterklasën e profesorit të famshëm britanik të muzikës, Yfrah Neaman. Në klasën e tij Ervisi studioi fillimisht, prej vitit 1990 deri në vitin 1993, në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz të Gjermanisë. Pas kësaj, deri në vitin 1999, ajo vazhdoi studimet në Londër, në Guildhall School of Music and Drama - një nga shkollat e larta të muzikës më të famshme të botës - në klasën e zgjedhur të prof. Neaman-it për solistë. Në vitin 1996 Ervisi mori diplomën prestigjoze Concert Recital Diploma, me vlerësimin maksimal “Premier Prix”, të Guildhall School of Music and Drama.

Në vitin 1996 Ervisi u bë pjesëtare e Orkestrës Sinfonike të Londrës (London Symphony Orchestra), pjesë e formacionit të rregullt të së cilës qendroi deri në vitin 1998.

Talenti dhe pjekuria e saj artistike bënë që Ervisi të dallohet në moshë shumë të re midis bursistëve të Akademisë së Dhomës së Muzikës "Villa Musica" në Mainz. Në moshën 19 vjeçare, Villa Musica vuri në dispozicion të Ervisit, për periudhën sa vazhduan studimet, një Violinë Petrus Guarnerius (prodhuar në vitin 1682).

Ervis Gega–Dodi është fituese e Çmimit të Parë të Konkursit Ndërkombëtar për Violinë Yfrah Neaman. Ajo është nderuar edhe me shumë çmime të tjera, si me Emily English Award, me Ian Fleming Award, me Pecskai Price dhe me çmimin e konkursit për solistë  7. Haverhill Symphony.

Që prej vitit 2002 Ervisi është pedagoge në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz si dhe në Universitetin “Johannes Gutenberg” në Mainz. Ajo ka masterklasat e saj në Akademinë e Muzikës së Landit Rheinland-Pfalz dhe është docente e Orkestrës së Të Rinjve të Rheinland – Pfalzit.

Ervis Gega–Dodi është violinistja më e re në moshë në historinë e Akademisë së Muzikës së Dhomës “Villa Musica”, e pranuar atje si pedagoge që prej vitit 2006.

  • 2000 ajo themeloi Duetin Spohr, për violinë dhe harpë. Për veprimtarinë e saj koncertale në kuadër të Duetit Spohr, në vitin 2001 ajo u zgjodh së bashku me harpisten e saj Silke Aichhorn Artiste e Vitit e Republikës gjermane të Rheinland–Pfalz-it. 
  • Në vitin 2004 Ervis Gega–Dodi themeloi Orkestrën Rheniane të Muzikës së Dhomës Mainz (më parë “Young Strings”). Repertori i kësaj Orkestre përfshin vepra të shquara muzikore, që nga epoka e Barokut deri në kohët moderne.
  • Ervis GegaDodi aktualisht është Koncertmaestre e parë e Filarmonisë Klasike të Bonn-it (Klassische Philharmonie Bonn).
  • Si soliste ajo ka luajtur me orkestra në skena botërore në Gjermani, Angli, Amerikë të Jugut dhe Afrikë të Jugut koncerte për violinë të F.Mendelssohn-it, N. Paganin-it, P.I. Tschaikowsk-it, J. Brahms-it, C.Saint-Saens-it, W.A. Mozart-it, J.M. Kraus-it, dhe J.S. Bach-it.
  • Ervis Gega- Dodi ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare për violinë, si në Bromsgrove Music Festival në Angli, në Semanas Musicales de Frutillar në Kili, në Schleswig-Holstein Musikfestival dhe në Mosel Festspiele në Gjermani.

Diskografia e saj përfshin „Sinfonia con violino obligato“ të J. M. Krausit me Orkestrën e Muzikës së Dhomës të Mainz-it, “Kammermusik” të Hans Werner Henze-s, CD-në e parë të Duetit Spohr (violinë dhe harpë), Solo-CD-në me “Carmen Fantasy” të Waxman-it, me Kapriçiot e Paganinit dhe një Sonatë të Mozart-it etj.

Ervis Gega–Dodi është vlerësuar nga studiuesit e muzikës klasike në Gjermani si “gjeni i teknikës së violinës” (nwz) dhe “vullkan muzikor”. Krahas forcës së lartë shprehëse, studiuesit veçojnë “hijeshinë dhe elegancën” e lojës së saj në violinë, në të cilat kombinohet  “sensualiteti mesdhetar me virtuozitetin e natyrshëm, të shkallës më të lartë”. Revista e njohur në botë e muzikës klasike “Strad” e ka quajtur Ervis Gega­­–Dodin një “talent unikal”, me një  “prezencë skenike elektrizuese”.

Disa kanale kryesore televizive në Gjermani si ARD, ZDF etj. si dhe në Shqipëri Top Channel, TV Klan, TVSH etj. kanë transmetuar emisione- portret për Ervis Gega­–Dodin. Regjistrime koncertale të Ervis Gega–Dodit transmetohen nga stacione radiofonike gjermane si Südwestfunk (SWF), Hessischer Rundfunk (HF), Norddeutscher Rundfunk (NDR) dhe Westdeutscher Rundfunk (WDR).

Ervis Gega–Dodi luan si e ftuar në formacione të ndryshme muzikantësh të Akademisë së Muzikës së Dhomës, Villa Musica, në Mainz.

Republika e Shqipërisë ka njohur dhe vlerësuar kontributet e Ervisit për kulturën dhe artin. Në vitin 2005, qyteti i saj i lindjes, Fier, e shpalli “Qytetare nderi”. Dhe në vitin 2008, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi Ervisin me titullin “Ambasadore e Kombit”.

Ervis Gega–Dodi jeton me bashkëshortin dhe të birin në Bonn.